Read more
Revista Letrare - Dimër 2024 sjell një përzgjedhje të larmishme të letërsisë shqiptare dhe botërore. Ky numër prezanton autorë të njohur dhe zëra të rinj, duke ofruar një pasqyrë të ndjenjave njerëzore, përvojave të jetës dhe sfidave moderne përmes një lenteje letrare mjeshtërore.
Proza: Në këtë numër shfaqen tregime të thella dhe emocionuese nga autorë si Liridon Mulaj me "Nëse dikujt i mungon buzëqeshja...", një histori rrëqethëse për përditshmërinë e mbushur me stërmundime dhe sakrifica të një gruaje të munduar, që mundohet t'i përvidhet sadopak realitetit të hidhur vetëm me ëndërrime. Georgi Gospodinov, mjeshtër i ironisë dhe absurdit, paraqitet me tregimet e tij të shkurtra: "Historia e fundit për vitet '90" dhe "Një mizë në urinore", përkthyer nga Arbër Ahmetaj, i cili sjell për këtë numër edhe prozën e tij "Palltoja", ku përshkruhet kaq bukur ndjeshmëria e shpirtit njerëzor dhe mirënjohja. Juan Benet vjen me një intervistë dhe tregimin "Fabula e parë," përkthyer nga Elvana Zaimi, ndërsa Arbër Selmani përshkruan me ndjeshmëri të lartë rrëfimin e tij "Dimitrij.". Diana Markaj sjell përmes prozës së shkurtër po përhumbjen e një gruaje në "Valsin" e kujtimeve.
Poezia: Përkthime të shkëlqyera të poetëve të mëdhenj si Riyad Al-Hussein dhe Mahmoud Derwish, zëra të fuqishëm të poezisë arabe, përkthyer me mjeshtëri nga Elmaz Fida. Carol Ann Duffy, poetja e njohur britanike prek me vargje të ndjeshme, që janë përkthyer bukur dhe me emocionin që mbartin nga Rielna Paja. Po kaq emocionuese vijnë edhe poezitë e shkruara nga Alfons Zeneli, Herman Çuka, Klodian Kapllanaj, që shpalosin horizonte të reja artistike me tema dashurie, vetmie dhe identiteti. Hysen Kobellari sjell një poemë për gruan, parë në një këndvështrim ndryshe, Reshida Çoba depërton te lexuesi me vargje erotike dhe po pesë tanka erotike nga "Antologjia e poezisë klasike japoneze" vijnë bukur përmes përkthimit të Melsen Kafilaj.
Kujtesë: Kjo rubrikë sjell njeriun dhe shkrimtarin e madh Teki Dervishi, nëpërmjet tregimit të shkurtër "Apokalipsa" dhe rrëfimit të shkrimtarit dhe publicistit Blerim Valla.
Dosier dhe Ese: Në këtë numër përfshihen edhe analiza letrare dhe ese nga Romelda Bozhani dhe përkthime mbi avangardën ruse nga Agron Tufa, duke pasuruar më tej përvojën letrare të lexuesve.
Revista Letrare - Dimër 2024 është një domosdoshmëri për dashamirësit e letërsisë shqipe dhe botërore, një urë lidhëse mes traditës dhe modernes, një botim që vlerëson cilësinë dhe lirinë e shprehjes.
ISBN: 978-2-39069-038-2
Redaksia: Ornela Musabelliu, Dritan Kiçi, Arbër Ahmetaj, Eleana Zhako, Elmaz Fida.